Ngricat në juglindje, akulli në trotuare shkakton 40 persona të plagosur

Nga Gazmend Janku
24 Janar 2024, 14:18 | Sociale

Ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës që përfshinë juglindjen e vendit, fundjavën e kaluar, ia kanë lënë vendin ngricave dhe akullit. E ndërsa vëmendja u përqendrua te hapja e rrugëve automobilistike, trotuaret e qyteteve në bashkitë e juglindjes janë të mbuluara nga akulli.

Kjo ka sjellë për pasojë edhe rrëshqitjen e disa dhjetëra personave disa prej të cilëve kanë marrë dëmtime të rënda me thyerje dhe shembje. Mjeku ortoped në spitalin e Pogradecit tregon rastet që janë paraqitur gjatë orëve të fundit.

Rastet me trauma nuk kanë munguar as në spitalin e Bashkisë Korçës, ku dy prej tyre janë dërguar për ndihmë më të specializuar në spitalin e traumës në Tiranës. Ndërsa mjekët apelojnë kryesisht moshat e treta që të bëjnë kujdes në vendet me akull dhe të shmangin daljet e panevojshme.

Nga ana tjetër, nga bashkitë përkatëse nuk ka asnjë reagim për pastrimin e trotuareve përtej rrugëve kryesore edhe pse pohojnë se kanë hedhur kripë për të shmangur krijimin e akullit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos