Shtyhet rinovimi i fushës, Partizani-Roma luhet në Arenën Kombëtare

Nga A2 CNN
4 Gusht 2023, 16:44 | Futboll
Shtyhet rinovimi i fushës, Partizani-Roma luhet në Arenën

Një skuadër si Roma dhe një trajner si Jose Mourinho meritojnë të luajnë në stadiumin më të mirë. Edhe pse fusha në Arenën Kombëtare është në gjendje të rënduar, verdhekuqtë do të kthehen në impiantin ku në maj të vitit 2022 triumfuan në Conference League, duke fituar trofeun e parë ndërkombëtar në histori.

Zbarkimi i Romës në Tiranë ka bërë që të ndryshojnë edhe planet për rinovimin e fushës. Miqësorja e 12 gushtit me Partizanin do të luhet në impiantin më modern në vend, që më pas do të kyçë dyert, me gjasë deri në ndeshjet kualifikuese të Kombëtares.

Menjëherë pas ndeshjes së luksit ndërmjet kampionëve të Shqipërisë dhe Romës, do të nisë puna për rinovimin e barit natyral, pasi në tapetin hibrid të fushës duket se ka mbetur vetëm bari artificial. Synimi është që terreni i lojës të jetë në gjendjen më të mirë për sfidën e 10 shtatorit, ku Kombëtarja luan ndaj Polonisë në kualifikueset e Europianit 2024.

Ndërkohë, Partizani do t’i luajë ndeshjet ndërkombëtare larg kryeqytetit. Nëse sfidën e parë me Valmeira-n, e luajnë në transfertë më 10 gusht, ndeshja e kthimit më 17 gusht do të zhvillohet në Elbasan Arena. Kjo është konfirmuar edhe nga UEFA në faqen zyrtare, ku janë publikuar informacionet rreth ndeshjeve të turit të tretë kualifikues në Conference League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos