Ditën e sotme, SPAK çoi për gjykim dosjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të pabetuar të Himarës dhe nuk ka munguar reagimi nga Athina zyrtare. Për këtë çështje, Ministri i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologen e tij, ministren Olta Xhaçka, ku e ka konsideruar këtë hap si një proces i padrejtë.
“Njoftimi i sotëm i Prokurorisë së Posaçme Shqiptare kundër Korrupsionit në lidhje me aktakuzën e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Z. Fredi Beleri dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij në një gjyq nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në thelb parandalon rezultatin e procesit, duke shkelur të drejtën e gjykimit të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë që Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë rreptësishtë. Në të njëjtën kohë, autoritetet shqiptare vijojnë t'i heqin Belerit të drejtën politike për të bërë betim dhe për të ushtruar detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës. Ministri i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis, i ngriti të gjitha këto çështje me homologun e tij shqiptar në bisedën e tyre të sotme telefonike ”, theksoi pala greke.
Sot, SPAK çoi për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në njoftim, SPAK argumentoi se nga provat e administruara gjatë hetimit, rezulton se është e provuar që i pandehuri Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo person që ai do gjente dhe që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për shërbimin që do të kryente Arsen Rama, do të shpërblehej në shumën 300 euro. (A2 Televizion)