“Lushnjari Sylvinho të merret me ekipin, jo me tifozët”, Pogoni: Ai e ka në Brazil tifozerinë

Nga A2 CNN
20 Qershor 2024, 08:46 | Live Euro 2024

Artan Pogoni deklaroi në “Dita jonë” në A2 CNN se Shqipëria mund të kishte fituar me Kroacinë nëse do të kishte një “guidë më cilësore”.

“Kemi lojtarë të talentuar, që po të kishin edhe një guidë më cilësore, kam përshtypjen që do të kishim kapur diçka më shumë. Unë mendoj që janë pompuar pak më shumë seç duhet këta tanët. Duket sikur do të shkojmë në finale të Evropianit. Kjo rrit presionin shumë. Trajnerin tonë nuk e dëgjova të dalë e të marrë përgjegjësitë, ta shkarkojë ekipin nga presioni”, tha Pogoni.

Kritikat për Sylvinhon, Pogoni i pati edhe në një aspekt tjetër: “Pati vonesa në zëvendësime edhe në ndeshjen me Italinë, edhe me Kroacinë. Sylvinho luan pjesën e tij, por tifozerinë të na e lërë neve. Se ai thotë “është e jona”, por tifozeria nuk është e tij. Ai ka atë tjetrën, me të verdha e me jeshile, të Brazilit. Të na lërë neve të themi sa të bukur i kemi tifozët. Të merret me skuadrën sepse ajo është më e rëndësishmja. Nga e di ai që ndeshja me Kroacinë do të mbetet në memorien e çdo shqiptari? Ka vetëm një vit e gjysmë këtu”.

Më tej, ai pati kritika edhe për Elseid Hysajn: “Vazhdon ai krahu i djathtë… Hysaj po lë për të dëshiruar, nuk e kuptoj pse nuk luan Balliu. Të bësh gabim teknik në ndeshje, çdo trajner e bën. Por, të këmbëngulësh në gabim është faj. Ky krah është momentalisht problemi i Kombëtares. Duhet të luajnë ata që e meritojnë”.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024