Asllani bëhet bomber dhe i shënon Xhenovas, Inter fiton dhe shkon +15 nga Juventus

Nga A2 CNN
4 Mars 2024, 21:54 | Futboll

Kristjan Asllani nuk është vetëm njeriu assist tek Interi i Simone Inzaghit që marshon me hap galopant drejt titullit kampion në Seria A dhe yllit të dytë në fanellë.

Pas pasimit perfket për Lautaro Martinez në golin e parë të zikaltërve kundër Leçes, djaloshi nga Elbasani shkëlqeu në sfidën që u luajt sot kundër Xhenovas.

Asllani realizoi golin e parë për Interin duke zhbllokuar takimin në minutën e 29-të. Me anë të një gjuajtje të fortë, ai shfrytëzoi asistin e kapitenit argjentinas për të mposhtur portierin e Xhenovas.

Mesfushori kuqezi duket se ka fituar besimin e plotë të trajnerit, pasi po luan ndeshjen e tij të tretë radhazi si titullar, duke shkëlqyer në fushë dhe zëvendësuar më së miri të dëmtuarin Çalhanoglu.

Për 21-vjeçarin, goli i shënuar sot mbart vlerë të veçantë, pasi është edhe i pari me fanellën e Interit në një ndeshje zyrtare.

Goli i dytë për zikaltërit u shënua me penallti nga kiliani Aleksis Sançez në minutën e 38-të të sfidës.

Për miqtë ngushtoi diferencën Vazques pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes, në minutën e 55-të. Por ky gol nuk u mjaftoi djemëve të Gilardinos për të rrezikuar fitoren e Interit.

Me shifrat e përgjithshme 2-1, Inter ngjitet në kuotën e 72 pikëve në renditjen e Seria A, 15 më shumë se Juventuesi që e ndjek nga vendi i dytë dhe marshon me hapa të sigurtë drejt titullit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos