Etrit Berisha është kthyer në portierin më në formë në Serie A, sidomos pas asaj paraqitje të jashtëzakonshme në ndeshjen e fundjavës Napoli-Empoli, të cilën miqtë e fituan 0-1.
Portieri kuqezi u shpall si më i miri i ndeshjes, madje përfundoi edhe në formacionin e javës në elitën e futbollit italian. Ai realizoi 7 pritje vendimtare në këtë sfidë, duke e mbajtur portën e paprekur. Ndërkohë, veç komenteve vlerësuese nga tifozët e skuadrës së tij, “Titi” është falënderuar edhe nga tifozët e Napolit, të cilët më shumë e kanë me trajnerin e tyre Rudi Garcia, i cili është në fund të aventurës së tij në krye të kampionëve të Italisë edhe pse shkarkimi i tij ende nuk është bërë zyrtar. “Faleminderit që na shpëtove nga Rudi Garcia”, shkruajnë tifozët e Napolit drejtuar Berishës.
Tashmë, gardiani kuqezi është vënë nën urdhtrat e trajnerit Sylvinho për dy ndeshjet ë fundit eliminatore ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe 3 ditë më pas ndaj Ishujve Faroe.
(A2 Televizion)