Pasi shkroi historinë në qershorin e vitit të shkuar, duke fituar për herë të parë Kupën e Shqipërisë, Egnatia ka ripërsëritur suksesin edhe këtë sezon, duke fituar trofeun, pasi mposhti minimalisht 1-0 verilindorët e Kukësit.
Rrogozhinasit shkëlqyen në ndeshjen e luajtur në “Arenën Kombëtare, duke treguar se jo më kot u renditën të parët në Superiore këtë sezon.
Ekipi i Edlir Tetovës gjeti golin në minutën e ’38 të sfidës pas një aksioni të gjatë të nisur nga Fangaj në të djathtë. Pasimi i tij në qendër gjeti Ndrecën i cili nuk gaboi duke shënuar përballë ish-skuadrës së tij.
Egnatia pati shansin të thellonte epërsinë në minutën e ’79 me një penallti, por Tafas nuk i la asnjë shans Fernandos për ta dërguar topin në rrjetë.
Në fund ata që festojnë janë rrogozhinasit, të cilët përveç trofeut të dytë në historinë e klubit, do të përfitojnë edhe premion prej 50 milionë lekësh të vjetra, shpërblim ky që vjen nga Federata Shqiptare e futbollit për fituesin e Kupës.
Fitorja e Egnatias, dërgon automatikisht në Europa Conference League Tiranën, me bardheblutë që gjejnë vend për të gëzuar pas një sezoni zhgënjyes, ku u renditën në vendin e 5-të të Superiores. (A2 Televizion)