Egnatia është skuadra e parë që kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Rrogozhinasit mbyllën me sukses praktikën përballë Laçit.
Pas fitores minimale në ndeshjen e parë, ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova fitoi edhe sfidën e kthimit me rezultatin 3-1. Montenegro me dy gola në harkun e 50 minutave lojë dhe në mes penalltia e shënuar nga Aleksi hipotekuan kualifikimin e Egnatias.
Për Laçin nuk mjaftoi goli i Myrtas në të 61-ën, edhe sepse portieri i vendasve, Alen Sherri neutralizoi 11-metërshin e Kryeziut. Me këtë fitore, Egnatia vazhdon ecurinë e shkëlqyer në këtë sezon.
Përveçse kryesojnë bindshëm kampionatin dhe janë kandidatë për titullin kampion, në Rrogozhinë kërkojnë të konfirmohen edhe në Kupë, duke synuar ti fitojnë të dy trofetë. Në orën 17:00 Partizani do të luajë me Kukësin, për të formalizuar gjysmëfinalet, pasi të kuqtë nisen nga avantazhi 1-0. (A2 Televizion)