Egnatias dhe Partizanit u mjafton një gol për 3 pikë, ndjekin njëra-tjetrën në krye të Superiores

Nga A2 CNN
5 Tetor 2024, 22:23 | Futboll

Egnatias dhe Partizanit u mjafton një gol për 3 pikë, ndjekin

Pas 3 barazimeve radhazi, Partizani ia doli që të fitojë sot në kryeqytet duke mposhtur Bylisin me rezultatin 1-0. “Demat e Kuq” rikthehen te 3 pikëshi në kampionat pas fitores në sfidën e luajtur në “Arenën e Demave”.

Ndeshjen e vendosi një gol i Prekës, i realizuar në minutën e 71-të. Me këtë rezultat, të kuqtë janë në krye të klasifikimit me 15 pikë teksa në ndeshjen e radhës sfidojnë Elbasanin.

Në krahun tjetër, Bylis e sheh veten në vendin e parafundit me vetëm 5 pikë, ndërsa Nevil Dede regjistron humbjen e dytë radhazi.

Pas ndeshjes, tekniku i “Të Kuqve”, Aleksandër Veselinoviç vlerësoi ekipin për karakterin që tregoi në fushë, por kërkoi edhe më shumë punë në të gjitha fazat e lojës për sfidat e radhës që do të luhen pas pushimeve për ndeshjet e Nations League.

“Falënderoj lojtarët dhe tifozët fillimisht. Kundërshtari tregoi dëshirë dhe luajti një lojë cilësore dhe i përgëzoj për këtë. Pjesën e parë patëm 3-4 raste, lojtarët ishin jashtëzakonisht të motivuar. Nuk gjetëm ekuilibrin mes motivimit dhe balancën. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk i shënuam gjithë ato raste. Mund ta mbyllnim që në pjesën e parë. Në të dytën patëm momente të vështira për ne. Në përgjithësi nuk jam i kënaqur, por vazhdojmë me një ecuri pozitive. E rëndësishme për vetëbesimin. Në 6 ndeshjet e fundit kemi pranuar vetëm 3 gola dhe këto kanë ardhur 2 me Dinamon dhe ai me Laçin. Mundohemi të punojmë në të gjitha fazat e lojës”, tha Veselinoviç.

Fitore arriti këtë javë edhe Egnatia. Kampionët në fuqi të Superligës ia dolën t’i rrëmbejnë tre pikë Skënderbeut në ndeshjen e luajtur në Korçë.

Rrogozhinasit iu falën një goli të shënuar nga Vuthaj në minutën e 64-të.  Me këtë fitore Egnatia pozicionohet në vendin e dytë, duke mbetur një skuadër pretendente për të fituar sërish titullin kampion.

Korçarët sakaq kanë shumë punë përpara këtë sezon, aktualisht renditen në vendin e tetë me 7 pikë.

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova dha mendimin e tij pas ndeshjes, duke mos kursyer kritikat për ekipin e tij, për të cilin tha se duhet të punojë më tepër në fazën ofensive pasi duhet të kishte mbyllur më herët ndeshjen.

“Donim vetëm 3 pikët, ndërruam skemën prej mungesave. Pjesën e parë ishim mirë në manovër, ndërsa në të dytën me pak qetësi mund të bënim golin e dytë. Pas kartonit të kuq të Malotës loja u barazua shumë, por kundërshtari nuk na rrezikoi shumë në portën tonë.  Na duhet shumë punë akoma me sulmin, poshtë e marrim topin mirë por sulmi do punë akoma. Shpresoj të na ndihmojë pauza”, tha Tetova.

Ndërkohë, Superiorja vijon nesër me ndeshjet e rëndësishme, Teuta-Tirana dhe Vllaznia-Elbasani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos