Juventusi arriti një fitore spektakolare me përmbysje përballë Leipzig në mbrëmjen e djeshme të Ligës së Kampioneve, duke mposhtur gjermanët me rezultatin 2-3.
Por fitorja e dytë në këtë fushatë të re të Ligës së Kampioneve ishte e hidhur për italianët, pasi në 6-7 muajt e ardhshëm do të duhet të bëjnë pa shërbimet e mbrojtësit brazilian Gleison Bremer.
Bremer, i cili zbriti në fushë me shiritin e kapitenit në krah, duket se ka humbur sezonin pas dëmtimit që pësoi në gju që në minutën e 6’ të sfidës, ku u zëvendësua nga Gatti, shkruan A2.
Gjigandi i mbrojtjes iu nënshtrua kontrolleve të zakonshme në J|Medical mëngjesin e sotëm. Testet zbuluan dëmtimin e ligamentit të kryqëzuar të gjurit të majtë. Siç raporton klubi i Juventusit, Bremer do t'i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim dhe “Zonja e Vjetër” do të duhet të bëjë pa shërbimet e tij për të paktën 6 muaj, raporton A2.
Ndërkohë, në kampin bardhezi qajnë edhe dëmtimin e argjentinasit Nico Gonzalez, i cili pësoi një lëndim të shkallës së ulët në femurin e kofshës së tij të djathtë dhe do të qëndrojë jashtë fushave për 20-30 ditë, përcjell A2.
Ai me siguri do të mungojë në ndeshjen kundër Cagliarit dhe kushtet e tij do të rivlerësohen pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve. (A2 Televizion)