Dy humbje në tre ndeshjet e para të Nations. Loja zhgënjyese dhe me pak ide, e sidomos shterpësia në fazën ofensive kanë bërë që Sylvinho të bëjë një hap mbrapa. Trajneri pritet të kthehet në filozofinë origjinale, ku Shqipëria mahniti gjatë kualifikueseve të Kampionatit Europian.
Më specifikisht, Nedim Bajrami pritet të kthehet në pozicionin e tij natyral në regji. Pas disfatës në Pragë, mesfushori këmbënguli disa herë se luan kudo ku i thotë trajneri, por roli i tij është organizator, shkruan A2 CNN. Dhe me spostimin e 25-vjeçarit në krah, Kombëtarja humbi në organizimin e manovrave sulmuese, por edhe në fazën mbrojtëse nga e majta.
Kthimi i Bajramit në qendër mendohet se do të jetë lëvizja e vetme e Sylvinho-s për ndeshjen e sotme në Gjeorgji. Strakosha në portë, do të ketë përpara tij katërshen e pandryshuar të mbrojtjes me Hysajn dhe Mitaj nga krahët dhe dyshen Ismajli-Kumbulla në qendër, aty ku një alternativë është edhe Ajeti.
Ramadani dhe Asllani përbëjnë qendrën e mesfushës, aty ku Asani do të luajë djathtas, Bajrami pritet të marrë pozicionin e tij në qendër, duke ulur në stol Laçin, shkruan A2 CNN. Nga e majta Arbër Hoxha duket i avantazhuar në balotazhin me Seferin. Në majën e sulmit do të jetë sërish Daku.
Me këtë rreshtim, Shqipëria synon kthesën në lojë dhe në rezultate në frashërtën e vështirë të Gjeorgjisë. Sfida në impiantin “Mikheil Meskhi” të Tbilisit nis prej orës 18:00 me orën shqiptare. (A2 Televizion)