Pas disfatës 2-0 në Çeki, Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë sot ndeshjen e radhës në Nations League, atë përballë Gjeorgjisë.
Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Mikheil Meskhi” të Tbilisit, do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kombëtares në këtë kompeticion, e cila ka mbledhur vetëm 3 pikë në 3 ndeshje të luajtura.
Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e tretë, teksa një fitore në këtë trasfertë, mund të rikthejë edhe njëherë shpresat për t’u kualifikuar në raundin tjetër, shkruan A2.
Skuadra zhvilloi seancën e fundit stërvitore, që zgjati pak më shumë se 1 orë. Në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas stërvitja te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë.
Lojtarët janë në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike. Të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin ndaj Gjeorgjisë.
Ndeshja Gjeorgji – Shqipëri e vlefshme për UEFA Nations League luhet në orën 18:00. (A2 Televizion)