Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar në lidhje me incidentet në ndeshjen e futbollit mes Partizanit dhe Tiranës dhe akuzave të Policisë së Shtetit, e cila teksa fajëson organizatorët, ka proceduar penalisht dhe një zyrtar të organit më të lartë të futbollit shqiptar.
FSHF shkruan se ka zbatuar të gjitha protokollet dhe shton se ka qenë Policia, ajo që mbërriti me vonesë në stadium duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë që tifozeritë të përballeshin me njëra-tjetrën.
“Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta.
Siç u pa, në momentin që forcat e policisë erdhën në stadium dhe morën kontrollin e situatës, duke bërë detyrën e tyre, nuk pati incidente mes tifozëve. Gjithashtu, u konfirmua se stadiumi i Partizanit është i përshtatshëm për të pritur ndeshje të këtij niveli dhe mjafton që policia të kryejë detyrën e vet funksionale që ia ngarkon ligji për të siguruar rendin në mjediset sportive.
Federata shpreh keqardhje për incidentet dhe për lëndimin e disa tifozëve dhe efektivëve të policisë, por thekson se këto incidente erdhën si pasojë e mungesës së përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve të policisë.
Ky në fakt nuk është rasti i parë kur Policia e Shtetit refuzon të bëjë detyrën dhe të bashkëpunojë me klubet dhe Federatën, pasi edhe në raste të tjera nuk ka pranuar të marrë përsipër sigurinë e ndeshjeve për arsye të pabazuara. Dhe pavarësisht se përmes shkresave kanë refuzuar të bëjë detyrën, sërish efektivët e Policisë së Shtetit janë paraqitur para ndeshjeve dhe kanë marrë kontrollin e rendit dhe sigurisë”, shkruhet në reagimin e FSHF. (A2 Televizion)