U përfol deri në orët e fundit për një marrëveshje që do ta mbante Tomas Tuchel në krye të pankinës bavareze edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht përplasjeve të tij me drejtuesit e klubit, por tekniku gjerman i ka shuar këto zëra.
Në prag të ndeshjes së Bundesligës kundër Hoffenheim, Tuchel konfirmoi lamtumirën me klubin duke thënë: “Kjo është konferenca ime e fundit për shtyp si trajner i Bayern Munich”.
“Ka pasur kontakte për të parë nëse mund të vazhdojmë së bashku, por nuk kemi arritur një marrëveshje, dhe nuk do të them arsyet. Për këtë arsye vendimi i marrë në shkurt mbetet në fuqi", shtoi Tuchel.
Disa lojtarë, si kapiteni Manuel Neuer dhe veterani Tomas Myler kishin shprehur mbështetjen e tyre për qëndrimin e Tuchel. Madje edhe tifozët kishin dalë në krah të tij me mbi 10 mijë firma të mbledhura në një peticion për ta mbajtur në stol, por duket se negociatat kanë dështuar.
Tuchel përflitet se është kontaktuar nga Milani, por diskutimet kanë ngecur menjëherë për shkak të kërkesave të trajnerit gjerman, i cili ka kërkuar 12 milionë euro në sezon për të trajnuar “Djallin”.
Në javët e fundit, Bayern ka marrë disa refuzime nga trajnerë të ndryshëm, përfshirë Xabi Alonso, Julian Nagelsmann dhe Ralf Rangnick. (A2 Televizion)