La pa ndjenja arbitrin në Fier, policia identifikon tifozin e Vorës që goditi me stol Zirin

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2023, 14:10 | Futboll

Aktet e dhunës u rikthyen këtë të shtunë në futbollin shqiptar, teksa në sfidën midis Apolonisë dhe Vorës u godit me sende të forta nga ana e tifozëve miq, gjyqtari i katërt i sfidës, Blerim Ziri.

Ziri humbi ndjenjat për disa sekonda, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën falë ndihmës së parë që mori nga stafi mjekësor dhe pankina e Apolonisë.

Pas këtij incidenti tifozët tentuan të hyjnë në fushë dhe shkatërruan hekurat, por nuk u lejuan nga forcat e policisë, të cilët shoqëruan disa prej tyre.

Për incidentin e ndodhur në Stadiumin "Loni Papuçiu", policia e Fierit njofton se ka identifikuar autorin, që është një 35-vjeçar nga kryeqyteti.

Po punohet për kapjen e shtetasit A. Xh., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 11.11.2023, rreth orës 16:30, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Apollonia-Vora, ka dëmtuar stolat e stadiumit "Loni Papuçiu" dhe me njërin prej tyre, ka goditur gjyqtarin e ndeshjes, shtetasin B. Z., 44 vjeç”, njoftojnë uniformat blu.

I riu në fjalë akuzohet për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitirit, ndërmjetësit sportiv” dhe "Shkatërrimi i pronës".

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu