Manchester City në krizë, ndërsa Liverpool konfirmon se këtë sezon kërkon të fitojë gjithçka. Në supersfidën e javës së 13 në Premier League, The Reds i dhanë një leksion “Qytetarëve” duke fituar 2-0 në stadiumin “Anfield”.
Që në fillim, ekipi i Slot u shfaq më i rrezikshëm, por vetëm shtylla i mohoi golin. Pas disa tentativash, rezultati u zhbllokua nga Gakpo që gjeti rrjetën në minutën e 12. Edhe pas golit, Liverpool mbeti në sulm me raste të njëpasnjëshme nga Darwin Nunez apo Alexander Arnold, por pa rezultat, shkruan A2 CNN.
Nw pjesën e dytë, “The Reds” vazhduan dominimin në fushë. Në minutën e 78’, portieri i Manchester City, Stefan Ortega, bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Luiz Diaz, brenda zonës ndërsa arbitri drejtoi gishtin nga pika e bardhë e 11-metërshit. Aty Mohamed Salah ishte i saktë dhe vulosi shifrat 2-0.
6 humbje dhe një barazim për Manchester City në 7 ndeshjet e fundit konfirmojnë krizën e qytetarëve në çdo kompetcion. Pas javës se 13 Manchester City mbetet në vendin e pestë, duke rrezikuar të mbetet jashtë garës për Champions. Ndërsa Liverpool pas këtij suksesi ngjitet në krye të tabelës me 34 pikë, duke qenë tani një kandidat i fortë për të fituar titullin në Premier League.
Në takimet e tjera, Chelsea fitoi 3-0 me Aston Villa dhe ngjitet në vendin e tretë me 25 pikë. Jackson dhe Enzo Fernandez në pjesën e parë ia bënë më të thjeshtë “Bluve” të Londrës. Në pjesën e dytë, Cole Palmer dha dhe goditjen finale dhe hipotekoi tre pikë për Chelsea.
Ndërkohë, Manchester United mundi 4-0 Everton. Rashford dhe Zirkzee me dy gola secili dhuruan spektakël në “Old Trafford”. Pas këtij suksesi, “Djajtë e kuq” shkojnë në kuotën e 19 pikëve, në vendin e nëntë. (A2 Televizion)