Milan me dy fytyra, nuk mjafton Giroud

Nga A2 CNN
30 Tetor 2023, 07:51 | Futboll

Milan me dy fytyra, nuk mjafton Giroud

Milani u ndal sërish në kampionatin italian, këtë herë përballë Napolit në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim 2-2 në një sfidë që e nisën në mënyrën më të mirë, por nuk e përfundoi kështu.

Oliver Giroud ishte i papërmbajtshëm në pjesën e parë, ku kuqezinjtë vetëm sulmonin, ndërsa napoletanët përpiqeshin të mos linin hapësira. Pas shumë tentativash drejt portës, ishte francezi që shënoi në minutën e 21 dhe i dha avantazhin Milanit. Por nuk u ndal me kaq, sulmuesi veteran shënoi dhe golin e dytë pas 9 minutash duke dhënë idenë se fitorja do të ishte e thjeshtë për ekipin e Piolit, por nuk rezultoi kështu.

Në fraksionin e dytë, çdo gjë ndryshoi, Napoli nuk ishte dorëzuar dhe rriti presionin në fushën kundërshtare. Vendasit ngushtuan diferencat me Politanon në fillimin e pjesës së dytë. Pas tij, ishte Raspadori që riktheu baraspeshën në fushë.

Një pikë që dhemb shumë për Milanin pasi rivalët direkt largohen dhe më shumë nga klasifikimi. Aktualisht, Milani është në vendin e tretë me 22 pikë, 1 më pak se Juventus dhe 3 nga Inter, ndërsa Napoli mbetet në vendin e katërt me 18 pikë. 

A2 CNN Livestream

A2 Sport