Napoli dhe Barcelona barazuan me shifrat 1 me 1 në sfidën e parë të 1/8 në Champions League. Një rezultat pozitiv për trajnerin Calzona, që debutoi në stolin e të kaltërve pas largimit të Mazzarrit.
Barcelona luajti më mirë, krijoi më tepër raste, por arriti të shënonte vetëm në minutën e 60-të, me rrjetën fenomenale të Robert Lewandowskit.
Vetëm 15 minuta më pas, Napoli arriti të barazonte shifrat me goditjen e vetme drejt portës kundërshtare. Protagonist ishte i zakonshmi Osimhen, i rikthyer pas dy muajve mungesë. Sulmuesi fitoi duelin fizik me Martinez me një lëvizje plot klas dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Kualifikimi në çerekfinale do të vendoset në ndeshjen e kthimit më 12 mars në stadiumin olimpik të Barcelonës.
Sfida e parë ndërmjet Portos dhe Arsenalit në Champions League u mbyll në mënyrë surprizë. Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, ishte Galeno me një supergol në sekondat e fundit të shtesës, që i dha fitoren portugezëve.
Goditja fantastike nga jashtë zonës i kapi të gjithë në befasi dhe bëri që në stadiumin “Do Dragão” të shpërthente festa. Fitorja ishte e merituar për Porton, edhe sepse Arsenali u paraqit mjaft dobët, duke u kthyer në Londër pa realizuar asnjë goditje drejt portës.
Skuadrës së Arteta-s i duhet një përmbysje e madhe në ndeshjen e kthimit, duke qenë se rivalët luajnë për dy nga tre rezultate të mundshme. Në të kundërt, aventura e topçinjve në Champions do të mbyllet prej fazës së 1/8-ave.
(A2 Televizion)