Natë e ftohtë në stadiumin “Los Cármenes”, për Granadën, e cila nuk shkoi më shumë sesa një barazim pa gola në sfidën me Burgos.
Ajo u bë edhe më e ftohtë me një lojë që vështirë se kishte raste, sidomos në pjesën e parë. Zero me zero ishte një rezultat i keq për të nisur vitin dhe mungesa e Myrto Uzunit në sulm duke se e penalizon tej mase ekipin nga Andaluzia.
Sulmuesi beratas pas çështjes së krijuar, është fotografuar i ulur në tribunën kryesore të stadiumit përkrah miqëve dhe babait të tij.
Sakaq tifozët dukeshin qartë në krah të Uzunit. Ultrasit e Granadës nisën koret “Uzuni qëndro” disa herë duke bërë të qartë qëndrimin e tyre, ndërsa po në kor kërkuan për largimin e drejtuesve, të cilët i kanë premtuar përmirësimin e kontratës futbollistit, por nuk e kanë bërë realitet, ndaj sulmuesi po sheh alternative të mundshme në MLS Amerikane.
Çështja “Uzuni” duket se ka ndezur situatën te Granada, pasi rebelimi i sulmuesit shqiptar nuk është pritur mirë nga trajneri Fran Escribá. Megjithatë me thatësirën para porte që u pa ndaj Burgos, tekniku në konferencën pas ndeshjes la të kuptohej se tani priste që Uzuni të kthehej për t’iu bashkuar skuadrës për ndeshjen e ardhshme.
“Shpresoj që të rregullohet gjithçka, pasi dua t’i kem të gjithë lojtarët të gatshëm. Por përtej kësaj, lojtari ka marrë një vendim dhe duhet të dijë pse e ka bërë. Ne kemi një rrugëtim që ndjekim. Ai që ndahet nga grupi, e vetmja gjë që duhet të bëjë është të kthehet të ecë në këtë rrugëtim nëse dëshiron të jetë pjesë e tij. Nuk do të ndryshojmë për askënd. Kjo është një temë e cila i përçan njerëzit. Duhet të kemi të qartë që ajo që na bashkon është stema që mbajmë. Të gjithë dum të njëjtën gjë, më të mirën për Granadan. Ia ndjejmë mungesën, por mua më mungojnë të gjithë ata që nuk i kam në dispozicion. Dera është e hapur, pasi duam që të marrë pjesë dhe ta bëjë mirë, siç ka bërë në të kaluarën”, tha trajneri i Granadës në fund të ndeshjes.
(A2 Televizion)