Në një kohë kur komuna e Milanos dhe administrata e rajonit të Lombardisë po diskutonin planet për dy stadiume të reja 70 mijë vendëshe, stadiumi “San Siro” ku Milani dhe Interi luajnë është bërë “copa-copa”.
Dy klubeve të futbollit do u duhet të ndërhyjnë urgjentisht duke derdhur 160 mijë euro për të vendosur një rrjetë mbajtëse në unazën e tretë të stadiumit pas shkëputjes së copave të betonit.
Diagnoza e inspektimit nga ekspertët tregon për dëmtime dhe shkëputje të pjesëve të mbulesës së betonit për shkak të korrozionit në mitikun 80 mijë vendësh.
Në unazën e tretë janë gjetur edhe “disa çarje të shkaktuara nga korrozioni i hekurit, të pranishme edhe në parapetet e kullave”.
Ndaj dhe vendimi – për arsye sigurie – është që të vendoset një rrjetë mbajtëse përgjatë gjithë perimetrit të impiantit, “duke njohur domosdoshmërinë dhe urgjencën maksimale në kryerjen e punimeve”.
Shpenzimet prej 160 mijë eurosh plus TVSH-në do të mbulohen plotësisht nga Milani dhe Interi dhe më pas do të ndahen nga qiraja. (A2 Televizion)