“Dy ndeshjet e muajit tetor meritojnë një vlerësim maksimal”. Kështu është shprehur trajneri Silvinjo në konferencën për shtyp përballë gazetarëve. Braziliani foli për mungesën e Brojës dhe Manaj, ndërsa bëri një koment dhe për rikthimin e Muçit.
“Kemi folur pak me Evertonin për Brojën, pasi sipas klubit ka nevojë dhe për 5 javë të rikuperohet. Sigurisht është një lojtar i rëndësishëm për ne, por duhet të presim akoma që ta shohim në fushë. Manaj është një tjetër i dëmtuar. Kam folur me lojtarin, por as ai, as ne nuk duhet të rrezikojmë. Rikthejmë Muçin, i cili po bën mirë dhe mund të ketë dhe minuta. Nga 24 lojtarë, secili mund të ketë mundësi për të luajtur. Qoftë 10 minuta apo 90. Ju jeni të lumtur me Muçin dhe unë me të, shpresoj të ketë vazhdimësi”, tha Silvinjo, shkruan A2.
Pajaziti ishte risia në listën e Silvinjos për të cilin u shpreh se është një futbollist që premton dhe për të ardhmen.
“Pajaziti është një lojtar i ri që kemi marrë. Ai ka fituar formën më të mirë tani në Kroaci, është një lojtar që më intereson shumë se është një mesfushor i cili mund të bëjë gjithçka”.
Në fund, tekniku Silvinjo bëri një koment lidhur me organizimin e Europianit U-21 me Serbinë
“Unë jam trajner, mua më intereson shumë lojtarët e U21. Në fakt ne kemi marrë shumë nga aty, Simonin, Bajramin, Mitajn, Berishën, Pajazitin, Fetain, Shpendin. Kemi shumë të fortë aty, kemi marrë shumë, mua më intereson, por se si bëhet, ku bëhet pastaj, në vitin 2027, nuk është çështje trajneri”, tha Sylvinho.
Aktualisht, Shqipëria pozicionohet në vendin e dytë në grup me 3 pikë, ndërsa kreun e mban Gjeorgjia me 6 pikë të plota. (A2 Televizion)