Man. United shpëton në shtesë, Roma bie në Suedi

Nga A2 CNN
4 Tetor 2024, 10:19 | Futboll

Man. United shpëton në shtesë, Roma bie në Suedi

Në ndeshjet e dyta të Europa League, spikati sfida ndërmjetPortos dhe Manchester United. Një ndeshje emocionuese dhe me të papritura deri në frymën e fundit.

Djajtë e Kuq barazuan shifrat në 3-3 vetëm në shtesë, duke evituar disfatën në Portugali. Dueli rrezikoi të ishte dramatik, sepse anglezët ishin në avantazh 2-0 pas 20 minutave lojë me Rashford dhe Hojlund, por vendasit realizuan një përmbysje të madhe.

Kur kronometri tregonte 34 minuta lojë, Pepê dhe Omorodion arritën të rikthenin barazpeshën, me këtë të fundit që mposhti portierin Onana në startin e pjesës së dytë. Edhe pse me një lojtar më pak, pas kartonit të kuqtë Bruno Fernandes, United barazoi në shtesë me Maguire, të aktivizuar nga stoli.

Humbje surprizë për Romën në trasfertën me Elfsborg, suedezët fituan 1-0 në “Boras Arena”, duke përfituar nga fakti se verdhekuqtë krijuan shumë, por nuk konkretizuan. Baidoo me penallti në të 44-ën vendosi sfidën.

Fitore 2-1 regjistroi Tottenhami në fushën e Ferencvaros. Ndeshja në Budapest u vendos nga golat e Sarr dhe Johnson, që i dhuruan Spurs fitoren e dytë në po kaq ndeshje në Europa League.

Në ndeshjet e tjera, Ajax, Galatasaray dhe Fenerbahçe nuk morën më tepër se barazime. Holandezët u frenuan në shifrat 1-1 në fushën e Slavia Praga.

Fenerbahce e Jose Mourinho nuk shkoi më tepër se rezultati 1-1 përballë Twente, ndërsa Galatasaray pa Osimhen e Ziyech, u ndal në barazim 2-2 në transfertën me Rigan në Letoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos