Tekniku Julian Nagelsman ka publikuar këtë të enjte listën e lojtareve që do të grumbullojë te Gjermania për sfidat e tetorit të vlefshme për Ligën e Kombeve.
‘Panzerat” do të luajnë sfidën e parë në transfertë përballë Bosnje-Hercegovinës më 11 tetor dhe ndeshjen e radhës në shtëpi përballë Holandës, të hënën e 14 tetorit.
Për këto dy sfida kualifikuese, Nagelsman ka përzgjedhur 23 futbollistë, teksa në listë bien në sy disa rikthime dhe mungesa, përveç grumbullimit për herë të parë të Tim Kleindienst nga Borussia Mönchengladbach, shkruan A2.
Mbrojtësi i Realit të Madridit, Antonio Rüdiger rikthehet në përfaqësuese së bashku me sulmuesin e Bayern Mynih, Serge Gnabry dhe portierin e Salzburg, Janis Blaswich.
Ndërkohë mungon në listë sulmuesi i Borusia Dortumnd, Karim Adeyemi, i cili shënoi një tregolësh në sfidën e mbrëmjes së të martës, ku verdhezinjtë mposhtën Celtic me rezultatin tenistik 7-1, raporton A2.
Po ashtu Nagelsman nuk ka dërguar as këtë herë një ftesë për mesfushorin me origjinë shqiptare Brajan Gruda, i cili në verë u transferua nga Mainzi te Brighton në Premier League.
Edhe pse Gruda ishte një nga lojtarët premtues që u ftua nga tekniku gjerman për t’u stërvitur me të përzgjedhurit e tij për Europianin 2024, përpara nisjes së kompeticionit, mesfushori shkodran është lënë në harresë prej asaj kohe, përcjell A2.
Përgjatë sfidave të shtatorit emri i tij u përfol edhe në kampin kuqezi, si një përforcim i mundshëm në tetor për ekipin e teknikut Silvinjo, ndaj me kuriozitet do të pritet publikimi i listës nga braziliani për të mësuar nëse Gruda do të veshë fanellën e Kombëtares Shqiptare në sfidat përballë Çekisë dhe Gjeorgjisë. (A2 Televizion)