Vendimi që mund të ndryshojë përgjithmonë botën e futbollit

Nga A2 CNN
3 Tetor 2024, 16:21 | Futboll

Vendimi që mund të ndryshojë përgjithmonë botën e

Sistemi i transferimeve të futbollistëve nga një klub në tjetrin mund të ndryshojë përgjithmonë të premten, kur Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian të shpallë vendimin në çështjen e ish-lojtarit të Francës, Lassana Diarra, kundër FIFA-s.

Sistemi ndërkombëtar i transferimeve, në të cilin qarkullojnë qindra miliona euro çdo vit gjatë shitblerjeve të lojtarëve, ekziston në formën që është tani, që prej vitit 2001 dhe mbikëqyret nga FIFA.

Por Diarra sfidoi organizatën kur e paditi në një gjykatë blege në vitin 2017 për shkak se nuk miratoi transferimin e tij te një klub i ri, pasi ai ekzistues, Lokomotiva e Moskës, i kishte ndërprerë kontratën.

Sipas rregullave të FIFA-s, nëse një lojtar kryen shkelje kontrate dhe më pas ajo ndërpritet nga klubi, skuadra e tij e re mund ta regjistrojë lojtarin vetëm nëse kompenson të vjetrën, shkruan A2 CNN. Ky rregull u aktivizua kur klubi belg, Charleroi u përpoq të nënshkruante me Diarra pasi kontrata e tij me klubin rus u ndërpre në vitin 2014.

FIFA nuk pranoi të lëshonte një Certifikatë Ndërkombëtare Transferimi, duke mos lejuar Charleroi të regjistronte Diarra-n në Federatën Belge të Futbollit. Në prill 2015, Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA urdhëroi Diarra-n t’i paguante 10 milionë euro Lokomotivës së Moskës. Por duke qenë se në atë moment mesfushori francez ishte pa skuadër, gjykata vendosi edhe që cilido klub i ardhshëm që mund të nënshkruante me të, nuk kishte detyrime ndaj skuadrës ruse dhe Diarra nënshkroi me Marseille.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv refuzoi apelimin e Diarra-s për vendimin e FIFA-s, por lojtari hodhi në gjyq FIFA-n dhe Federatën Belge të Futbollit në një gjykatë belge, duke kërkuar 6 milionë euro dhe dëmshpërblime të tjera, pasi asnjë klub i interesuar për të në sezonin 2014-2015 nuk i ofroi kontratë për shkak të detyrimeve ndaj Lokomotivës.

Vendimi që mund të ndryshojë përgjithmonë botën e
Lassana Diarra, gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Real Madrid.

Gjykata belge ka kërkuar udhëzime nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së dhe vendimi që do të merret të premten mund të jetë shkatërrues për FIFA-n.

Sipas, juristit polak Maciej Szpunar, Avokatit të Përgjithshëm të Gjykatës - një post i ngjashëm me atë të Avokatit të Popullit - Gjykata duhet të mbajë anën e lojtarit. “Disa nga rregullat e FIFA-s për transferimet e lojtarëve mund të bien ndesh me ligjet e BE-se. Këto rregulla janë kufizuese dhe mund të justifikohen në rrethana specifike”, shkroi ai në opinionin e tij për gjykatën.

Vendimi që mund të ndryshojë përgjithmonë botën e
Jean-Marc Bosman, futbollisti i futur në histori pasi ndryshoi skemën e transferimeve.

Në gjyq, Diarra përfaqësohet nga Jean-Louis Dupont, i njëjti avokat i cili mbrojti çështjen e futbollistit belg Jean-Marc Bosman, i cili në vitin 1995 i hapi rrugë lojtarëve brenda Bashkimit Europian për të ndryshuar klub pas përfundimit të kontratës së tyre, pa paguar asnjë shifër për transferimin, shkruan A2 CNN. Dupont tha se nëse vendimi mbështet lojtarin, atëherë do të jetë një tjetër gur themeli për modernizimin e futbollit dhe FIFA-s. “Do t’i jepej fund praktikës degraduese të trajtimit të lojtarëve si mall”, tha Dupont.

Mbetet ende e paqartë se si vendimi do të ndikojë në shtetet jashtë Bashkimit Europian, kryesisht në Angli, ku Premier League është burimi financiar më i madh në botë i transferimeve të lojtarëve. Megjithatë, pas këtij vendimi, FIFA mund të miratojë një rregull të ri që do të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar për të gjithë shtetet anëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos