Besiktasi u mposht 1-3 në ndeshjen e Europa League ndaj Frankfurtit, por ajo që ra në sy ishte forma e shkëlqyer e Ernest Muçit, i cili ishte nga më të mirët në fushën e lojës, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me mosaktivizimin e tij në ndeshjet e para të këtij sezoni.
Por çudia e madhe ndodhi pikërisht në ndeshjen ndaj gjermanëve, tifozët e Besiktasit, të cilët kërkonin kohë më parë rikthimin e Muçit në formacion, në këtë takim e kanë vërshëllyer gjatë gjithë ndeshjes, edhe pse sulmuesi shqiptar zhvilloi një takim mjaft të mirë, shkruan A2.
Megjithatë, në mbrojtje Muçit i ka dalë trajneri holandez Giovanni Van Bronckhorst. “Nëse dikush mendon se nuk dhamë sot paraqitjen tonë më të mirë, se lojtarët tanë nuk dhanë sot paraqitjen e tyre më të mirë, këta njerëz nuk duhet të vijnë më në stadium. Është një situatë e pazakontë për mua, situatë e vështirë, lojtarët tanë janë brohoritur pasi dhanë gjithçka, ndiej emocione të çuditshme. Kishte disa sharje dhe reagime gjatë ndeshjes, unë nuk e kuptoj dhe dikush duhet të ma shpjegoj këtë pasi sot ne kemi bërë një nga ndeshjet më të mira”, tha trajneri. (A2 Televizion)