Tirana rikthehet te fitorja. Bardheblutë mundën 2-0 Teutën, duke marrë 3 pikë që i ngjisin për momentin në vendin e tretë, me 17 pikë, 6 më pak se Egnatia kryesuese.
Në “Selman Stërmasi” ishte Florent Hasani ai që mori për dore skuadrën, duke shënuar të dy golat e ndeshjes dhe duke rikthyer skuadrën te fitorja e munguar që prej 7 tetorit, kur sërish një gol i tij i dha Tiranës suksesin ndaj Vllaznisë.
Sulmuesi i bardhebluve zhbllokoi ndeshjen në minutën e 12 me një lëvizje shumë të bukur brenda zonës, ndërsa në të 82-tën shënoi edhe golin e qetësisë për skuadrën e drejtuar nga Julian Ahmataj.
Ndërkohë, Partizani mori një tjetër 3-pikësh të vuajtur, këtë herë në transfertën ndaj Laçit, teksa interesant është fakti që për të katërtën sfidë radhazi e gjeti golin e fitores në minutat shtesë.
Që prej uljes në stol të Arbër Abilaliajt, “Të kuqtë” kanë regjistruar katër fitore në po kaq ndeshje dhe në të gjitha kanë shënuar golin në minutat shtesë, duke filluar nga derbi me Tiranën, për të vijuar me Erzenin, Teutën e së fundi Laçin.
Ndaj kurbinasve, vetëm 30 sekonda para vërshëllimës së trefishtë të arbitrit, ishte Gjelbrim Taipi i cili goditi saktë me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë fitoren Partizanit, që barazon Egnatian në krye me 23 pikë, por me një ndeshje më pak se rrogozhinasit.
(A2 Televizion)