Lando Norris arriti fitoren e tij të parë në Formula 1. Në Çmimin e Madh të Miami, britaniku i McLaren kaloi i pari vijën e finishit, duke lënë pas kampionin e trefishtë të botës me Red Bull, Max Verstappen, si dhe Charles Leclerc të Ferrarit.
Gara shkoi më së miri për Norris që pati edhe ndihmën e fatit kur në pistë u fut makina e sigurisë, kur britaniku nuk kishte kryer ende “pit stop”-in e tij.
Në këtë mënyrë, Norris ia doli që të dalë para Verstappenit nga bokset dhe më pas britaniku u mbrojt ndaj sulmeve të holandezit.
Si përfundim, Norris fitoi garën e parë në karrierë, ndërsa riktheu McLaren te një sukses që i mungonte që nga gara e Monzës, në vitin 2021.
Pesëshen e parë e kompletuan Sergio Perez (Red Bull) me Carlos Sainz (Ferrari).
Sa i takon renditjes së përgjithshme, ajo vijon të kryesohet nga Max Verstappen, me 136 pikë, i ndjekur nga Perez me 103, Leclerc i treti me 98, Norris me 83, po aq sa edhe Sainz, që mbyll pesëshen e parë.
(A2 Televizion)