Titulli kampion në volejbollin për meshkuj do të vendoset me një ndeshje të pestë. Partizani arriti të fitoje 3-0 ndaj Tiranës në finalen e katërt dhe barazon 2-2 rezultatin e përgjithshëm në derbin e kryeqytetit.
Ekipi i Yll Tomorit kishte ardhur me synimin e qartë, për të mbajtur të hapur betejën e titullit. Kjo u pa që në fillim me dominimin absolut në 3 sete, ndërsa gjithë ndeshja zgjati një orë e 24 minuta lojë.
Në setin e parë, ekipi i kuq fitoi 25-12 ndërsa të dytin 25-19, në vetëm 28 minuta lojë. Tirana u mundua të reagojë në të tretin që ishte i luftuar pikë për pikë, por në fund festa ishte e Partizanit që sërish e fitoi me shifrat 25-22, duke e marrë gjithë ndeshjen me rezultatin final 3-0 me sete.
Tani titulli kampion do të vendoset në një finale të pestë. Cila skuadër do të fitojë aty do të bëjë për vete dhe trofeun në fund. Sipas programit, derbi është të shtunën në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, në orën 18:00. (A2 Televizion)