Pesha e Novak Djokoviç në botën e tenisit nuk mund assesi të vihet në diskutim, por numri 1 i botës duket se ka një pikë të dobët dhe këtë e kanë mësuar më së miri rivalët e tij italianë.
Pas Jannik Sinner që e mposhti në gjysmëfinalen e Australian Open për të bërë të vetin më pas trofeun duke mposhtur në finale rusin Dmitry Medvedev, një tjetër italian ka ndalur rrugën e kampionit serb.
Luca Nardi, numri 123 në botë e mposhti numrin 1 të renditjes në turneun ATP 1000 në Indian Wells, në tre sete me rezultatin 6-4, 3-6, 6-3.
Djaloshi 20-vjeçar kaloi kështu në fazën e 1/16 të turneut që po zhvillohet në Kaliforni, por menjëherë pas pikës së fitores hodhi raketën në tokë dhe ngriti duart drejt fytyrës në shenjë mosbesimi për atë që arriti të bënte përballë Djokoviç.
In case you missed it ????
— Tennis TV (@TennisTV) March 12, 2024
lucky loser @Luca___Nardi shocking World no. 1 Novak Djokovic to reach the last 16 at Indian Wells! #TennisParadise pic.twitter.com/pG4wCaTHJi
“Kjo është një mrekulli. Unë jam një djalë 20-vjeçar, rreth të 100 në botë, dhe kam mundur Novak. Është çmenduri, çmenduri”, tha Nardi më vonë në një intervistë për Tennis Channel.
“Para fitores së sotme, askush nuk më njihte. Shpresoj që turma të ketë shijuar ndeshjen. Jam shumë i lumtur me këtë rezultat”, shtoi italiani i talentuar.
Djokoviç edhe pse humbës u tregua suportues ndaj 20-vjecarit që e eliminoi duke thënë: "Nardi hyri si “humbësi me fat” në këtë ndeshje, ndaj nuk kishte asgjë për të humbur. Kështu që ai luajti shkëlqyeshëm. Ai e meritonte të fitonte. Unë u befasova më shumë nga niveli im. Niveli ishte vërtet shumë i keq.”
Tenisti nga Marche bëhet kështu lojtari me renditjen më të ulët që ka mundur ndonjëherë Nole në një turne të kësaj kategorie ose në një Slam (rekord i cili deri më tani i përkiste afrikano-jugorit Kevin Anderson, numri 122 kur ai fitoi në Miami në 2008). (A2 Televizion)