Turi i Shqipërisë, serbi fiton etapën e parë të rrethit çiklistik: Ia dola

Nga Artin Halili
20 Maj 2024, 17:17 | Sporte të tjera

Turi i Shqipërisë, serbi fiton etapën e parë të rrethit

Serbi Dordje Duriç është fitues i etapës së parë të rrethit çiklistik me 4 orë, 3 minuta e 15 sekonda duke lënë në vend të dytë bashkëkombasin Marko Stankoviç dhe në vend të tretë austriakun Lenard SternsDorff.

Deri në ngjitje të Qafë Thanës, grupi ka garuar së bashku, pikërisht këtu është austriaku që lë pas pothuajse gjithë çiklistët e tjerë për të vazhduar i vetëm ngjitjen madje deri në hyrje të fshatit Pirg ka garuar i vetëm. Këtu është përfshirë brenda grupit nga 3 serbë, njeri prej të cilëve garon për Bullgarinë duke i dhënë një zgjidhje taktike kilometrave të fundit, por finishin i pari e ka kaluar Duriç. Pas garës, ai tha se e njihte mirë terrenin pasi kishte garuar me pare ne këto rrugë.

"Ishte etapë e vështirë, rrugët ishin të vështira, kishte shumë ngjitje por ja dola. Ishte e vështirë në momentet e fundit sepse fuqia duhet të ishte në maksimum por pata mbështetjen e grupit tim ndaj edhe sot fitova", tha ai.

Nga ana tjetër Stankoviç, i vendit të dytë pas garës ka bërë të ditur se nuk ka patur mbështetjen e çiklistëve të tjerë e për këtë e kishte të pamundur për të kaluar i pari finishin.

"Pas 30 km ecje u përpoqa të sulmoj çiklistin e parë por nuk pata shumë mundësi sepse ai pati mbështetjen e grupit të vet. Në ngjitjen e fundit më kapi dhe ekipi mbrapa e kjo bëri që lodhja të ishte e madhe. Gara ishte e vështirë por duhet të jem i sinqertë që çiklisti serb e meritoi sot”, u shpreh Marko Stankoviç.

Pjesë e rrethit çiklistik janë çiklistët e ekipeve përfaqësuese të Serbisë, Greqisë, Austrisë, Bullgarisë, Holandës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Etapa e dytë e turit çiklistik të Shqipërisë është Korçë - Elbasan, 120 km.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli