“Vlora Run” rikthehet në qytetin europian të sportit

Nga A2 CNN
20 Prill 2024, 18:19 | Sporte të tjera

Në qytetin e Vlorës rikthehet maratona e vrapit “Vlora Half Maraton”, një traditë e qytetit bregdetar, e cila këtë vit vjen në kuadër të zgjedhjes së Vlorës “Qyteti Europian Sportit”.

Vrapues nga i gjithë vendi, rajoni dhe bota janë bërë bashkë. Pjesëmarrësit më të shumtë në numër janë shqiptarët e Kosovës si dhe sportistët nga Kenia.

“Jam nga Kenia, unë vrapoj në shumë vende. Vitin e kaluar kam marrë pjesë në maratonën e vrapit në Tiranë, tani jam këtu në Vlorë, më pëlqen shumë, është shumë bukur për të vrapuar”, thotë atletja keniane.

Gjithashtu, Luiza Gega, Kampione Europe, merr pjesë në këtë garë dhe synon fitoren: “Këtu ka një pistë tej mase shumë të mirë, nuk ka malore është avantazh shumë i madh, ky është synimi, nuk do të jetë e lehtë sepse ka sportistë kenian dhe ata shquhen për këto distanca”.

Nënkryetari i bashkisë, njëkohësisht personi i dedikuar për sportet në qytetin bregdetar, tregon se shifrat e regjistrimeve i kanë kaluar pritshmëritë. Klevis Kaso shprehet: “Kjo maratonë është në kuadër të një lloj sensibilizimi sportiv, sa më shumë në këtë qytet, çdo lloj brezi, çdo lloj moshe, të ketë mundësinë të bëjë sport, ne kishim si target kishim 1200 persona, por deri nesër do jemi mbi 2000 persona”.

Gjithçka do të organizohet në kuadrin e një gare sportive në të cilën do të ndahen edhe çmime sipas vendeve fituese.

Kësaj të diele buzë gjirit të Vlorës, bashkë me atraksionet turistike, panoramës së Vlorës i shtohet edhe adrenalina sportive.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli