Tensionet në veri, BE: Pas reduktimit të forcave policore nevojiten hapa të tjerë

Nga A2 CNN
17 Gusht 2023, 16:31 | Kosova
Tensionet në veri, BE: Pas reduktimit të forcave policore nevojiten

Bashkimi Europian e mirëpret vendimin e qeverisë së Kosovës për të reduktuar praninë policore pranë objekteve të komunave veriore, me shumicë serbe. Megjithatë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, theksoi se nevojiten hapa të tjerë për të shtensionuar më tej situatën në veri, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa me shpejt qe te jete e mundur.

“Këto janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Sikurse çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorë tonë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat. Ato duhet të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”.

Stano tha se për bllokun evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, është shumë e rëndësishme që ky procesi të rinisë, në mënyrë që palët të mund të trajtojnë çështje të rëndësishme.

“Është shumë e rëndësishme që ti rikthehemi dialogut normal mes Prishtinës dhe Beogradit duke i trajtuar të gjitha çështjet një e nga një; më të rëndësishmet janë Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i saj i zbatimit”. Çdo gjë që bëhet në kuadër të kornizës së dialogut, nuk ka si synim të kënaq Brukselin, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve, dhe për të çuar përpara procesin e integrimit të të dyja vendeve”.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës, përfshirë reduktimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në veri, nuk mund të mbahen pa shtensionimin e plotë të situatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos