
Arrestimi e anëtarit të asamblesë së Komunës së Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes Besnik Mujeci, sipas kreut të LDK, Lumir Abdixhiku, është dëshmi e këmbënguljes së partisë së Kurtit për ta bërë atë disa muaj më parë aksioner në stacionin e linjës së autobusëve Prishtinë-Tiranë.
Është e njëjta linjë nga e cila policia deklaroi se ai sillte dozat me ekstazi në kryeqytetin shqiptar për t'i shpërndarë me pas drejt bregdetit në kulmin e sezonit turistik.
''Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistohej atëherë'', akuzon Abdixhiku.
Ai i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës të hetojë në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.
Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet tha se nëse kjo vërtetohet asamblisti i tyre do të përjashtohet nga partia.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës dënoi rastin përmes një deklarate për median, ku i kërkohet drejtësisë atje të veprojë.