
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nisjen sa më shpejt të punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Prizrenin me Tetovën. Gjatë një vizite në fshatin Vicë të Tetovës, Kurti tha se ky aks është ndër më të rëndësishmit në aspektin ekonomik për rajonin. Sipas tij kjo rrugë do të ndihmonte zhvillimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Aksi që e lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje mes dy qeverive tona, nga mbledhja e përbashkët, e nënshkruar nga dy kryeministrat. Jemi dakorduar me ish-kryeministrin Zoran Zaev, më pastaj edhe me kryeministrin aktual Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejtë me punimet dhe realizimin e këtij projekti madhor”, tha Kurti.
Kurti theksoi se ky projekt nuk llogaritet të ketë kosto shumë të lartë.
“Jemi shumë të interesuar që të ecim sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës, që në qiell ishin një qytet dhe në tokë janë dy, përmes aksit i cili parasheh edhe një tunel. Në bazë të llogaritjeve të cilat janë bërë, nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia”.
Edhe zëvendësministri i Infrastukturës në Kosovë, Hysen Durmishi tha se ky aks rrugor është prioritet i qeverisë, me rëndësi të madhe në ofrimin e dy qyteteve dhe për zhvillimin ekonomik.
“Variantin të cilin e kemi përzgjedhur është varianti me tunelin më të gjatë me 6,4 kilometra. Arsyeja ka qenë sepse që kjo rrugë të mund të funksionojë edhe në kushte të vështira të dimrit kur ka reshje të mëdha të borës. Kemi shkuar me variantin me tunelin më të gjatë, por në lartësi mbidetare shumë më të ultë. Dalja në fshatin e Kosovës është fshatin Manastiricë”, u shpreh ai.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasumi theksoi se po punojnë për zhvillimin e kësaj pjese të malësisë së Sharrit.