Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bën thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat, siç i quajti ai, të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa përsëriti se qeveria është e hapur përmbajtjen e zgjedhjeve të reja në veriun të vendit.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve Kosovapress të enjten, Kurti tha se masat janë pjesë e “asimetrisë në raporte” dhe se “sa më parë që të përfundojnë aq më mirë do të jetë”.
“Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë të drejta. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, tha kryeministri.
Kurti thotë se mënyra më e mirë për thirrjen e zgjedhjeve të reja është përmes nenit 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili u mundëson qytetarëve të komunave përkatëse t’i shkarkojnë kryetarët e tyre përmes peticionit.
“Mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji. Thash ta presim punën e tyre, sa më shpejtë aq më mirë”, shtoi Kurti.
Ai këmbënguli se Kosova është “e interesuar” për zbutje të mëtejshëm të situatës në veri, duke shtuar “se është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe shtensionimi tashmë ka ndodhur. (A2 Televizion)