Koloneli Ejup Maqedonci do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes në Kosovë. Ai u emërua në këtë post nga kryeministri Albin Kurti pas dorëheqjes se Armend Mehaj. Përmes një postimi në Facebook ai citoi arsyet familjare për vendimin.
Mehaj përmendi disa prej arritjeve që sipas tij janë realizuar gjatë mandatit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes si dyfishimi i buxhetit nga 64 milionë në 123 milionë, rekrutimi i mbi 1.800 ushtarëve të rinj apo dërgimi i ushtarëve dhe oficerëve në trajnime në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi e vende të tjera.
Nuk la pa përmendur edhe pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e NATO-s, “Defender Europe 2021”. “Për herë të parë në historinë e FSK-së, ushtarët tanë kanë qenë pjesë e misioneve të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi Mehajn për punën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i uroi ministrit të ri punë të mbarë, siç tha, në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë.
Ejup Maqedonci doli në pension të parakohshëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës në korrik të këtij viti. Ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit. Më pas si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës ka shërbyer për një dekadë si komandant i batalionit për kërkim-shpëtim dhe më pas ka vazhduar detyrën e shefit të departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së. është nderuar me “Medaljen e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së. (A2 Televizion)