“Ndryshoni qasje ndaj Kosovës”, deputetë europianë dhe amerikanë: Jo politika që anojnë nga Serbia

Nga A2 CNN
7 Gusht 2023, 13:13 | Kosova
“Ndryshoni qasje ndaj Kosovës”, deputetë europianë

Dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, publikoi letrën që i është dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly. Ajo tha se kjo letër është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë, ndër të cilët amerikani Bob Mendez dhe gjermani, Michael Roth.

Duke adresuar tensionet e fundit në veri të Kosovës, përmes letrës u kërkua “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”.

“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”.

Në letër shtohet më tej se qasja aktuale nuk po funksionon ndërsa i bëhet thirrje komunitetit evropian që të mësojë nga e kaluara dhe të mos miratohen politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. 

“Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejme të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, shkruhet në letër.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta të dhunshme ku mbetën të lënduar dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/05/kosova-ylli-polar-i-ballkanit-ish-ambasadori-ftohja-kurti-rama-nuk-i-sherben-interesit-shqiptar/
https://a2news.com/2023/08/05/kryekomunaret-ne-veri-te-dorehiqen-analistet-shkarkimi-permes-peticionit-zvarrit-zgjedhjet-e-reja/

A2 CNN Livestream

Latest Videos