“Kryekomunarët në veri të dorëhiqen”. Analistët: Shkarkimi përmes peticionit zvarrit zgjedhjet e reja

Nga A2 CNN
5 Gusht 2023, 15:26 | Kosova
“Kryekomunarët në veri të dorëhiqen”.

Kryetarët e katër komunave në veri duhet të japin dorëheqje, pasi shkarkimi përmes peticionit qytetar zvarrit shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri. Kështu pohuan për KosovaPress njohësit e proceseve zgjedhore dhe analistët politikë në Kosovë. Sipas tyre, pavarësisht nisjes së procedurave për hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri, duhet një marrëveshje politike që këta të fundit të largohen.

Dorëheqjet e kryetarëve në veri? Patjetër se po se është rruga më e lehtë dhe shpejtë se nuk kemi kohë për të pritur. Jo vetëm kaq, zvarritja i konvenon vetëm Serbisë dhe jo vetëm kaq, Bashkimi Evropian nuk lejon dhe pranon zvarritje. Neve na duhet sa më parë që të hiqen masat pasi janë barrë e popullit të Kosovës.

Mazllum Baraliu, ish-nën kryetar i KQZ

Deri tani mirëfilli dihet se për të gjitha modelet që i ka ofruar Qeveria e Kosovës në të gjitha proceset e fundit në lidhje me veriun, nuk mbahet mend ndonjëra prej tyre që është pranuar nga faktori ndërkombëtar, veçmas ata që i kanë vendosur sanksione Kosovës. Nga faktori ndërkombëtar ky proces konsiderohet zvarritje të jetësimit të marrëveshjes së Bratislavës paraprakisht, e cila ndërlidhet me procesin zgjedhor në katër komunat veriore. Përveç këtyre 1 muaj përgatitje për dy-tre faqe një udhëzim administrative është shenja thelbësore që faktori ndërkombëtar po e merr si zvarritje dhe mungesë vullneti për të proceduar me procesin zgjedhor. Në anën tjetër, do të ishte më mirë që të kishte një marrëveshje politike, kjo me siguri do të ishte më e mirë dhe leverdishme që do të tregohej e suksesshme.

Albinot Maloku, analist

Qeveria e Kosovës nisi së fundmi procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka formuar një grup punues për hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Ky udhëzim administrativ është thënë se do të hartohet deri më 1 shtator. Në anën tjetër, Bashkimi Europian, vazhdimisht ka konfirmuar se dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore është zgjidhje më e lehtë dhe shpejtë për qetësimin e plotë të situatës në veri.

https://a2news.com/2023/08/02/zgjedhje-te-reja-ne-veri-te-kosoves-ministri-sqaron-do-kemi-peticion-jo-doreheqje-te-kryetareve/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri