Policia e Kosovës, aksion kundër drogës në veri të Mitrovicës

Nga A2 CNN
7 Gusht 2023, 17:41 | Kosova
Policia e Kosovës, aksion kundër drogës në veri të

Policia e Kosovës ka kryer një aksion kundër drogës në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës. Bëhet fjalë për një banesë në katin e njëmbëdhjetë, të shfrytëzuar nga një shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb. Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani.

“Në banesën që është shfrytëzuar nga S.M (shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb) janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llambë elektrike për laborator, 51 fishekë, 8 shok-bomba të modifikuara. I dyshimti nuk ka qenë aty”, tha Elshani.

Në fillim të këtij viti, Policia e Kosovës zbuloi tre laboratorë drogë në veri të Mitrovicës, ndërsa në vitin e kaluar edhe kishte shkatërruar laboratorë droge.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla  eka cilësuar të suksesshëm aksionin e sotëm në Mitrovicë. Në një postim në Facebook ai tha se luftimi i krimit të organizuar mbetet prioritet i qeverisë. Sipas tij veriu po ecën drejt normalitetit dhe Serbia nuk do ta cenojë shtetin e Kosovës në asnjë cep të vendit.

Ministri i Brendshëm theksoi gjithashtu se kjo është edhe një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve.

Shkrimi i plotë ministrit të Brendshëm në Facebook:

Luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet i yni. Për më shumë se 20 vite, veriu i shtetit tonë kryesisht ka jetuar në ilegalitet. Grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti. Ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri.

Pas informacioneve të pranuara, sot në Mitrovicën e Veriut është kryer një aksion i suksesshëm nga Policia e Kosovës në një banesë në rrugën e Kolashinit, saktësisht në katin 11 tek tre rrokaqiejt.

Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara.

Fakti i sotëm është dëshmi e trefishtë:

1. Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë, pjesëtarëve të Kforit e Eulexit, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm.

2. Është dëshmi lidhur me kontigjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiçit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin.

3. Eshtë dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiçi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar.

Ndaj ne po punojmë progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës. Aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë.

Kjo është një nga shembujt që mbështet të dhënat e raportit të UNDP-së. Në këtë raport theksohet se është rritur ndjenja e besueshmërisë dhe sigurisë tek qytetarët tanë të minoritetit serb.

Për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë. Ata kanë patur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës. Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë.

Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos