
Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, ka bërë me dije se është ndaluar në kufi nga policia kufitare serbe. Referuar deklaratë së saj, ndalimi u argumentua si urdhër që kishin marrë nga baza dhe për pasojë nuk mund ta kalonte kufirin pa marrë pëlqimin, po nga baza.
‘Sot, rreth orës 10:00 në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë, jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë. Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë “Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.
Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin. Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetërorë serb ndaj shqiptarëve. E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë.’- shkroi zyrtarja.
Për këtë ka reaguar edhe zyra e Kryeministrisë, sipas së cilëve ky ndalim është shkelje rëndë e të drejtës themelore, lirisë së lëvizjes.
“Znj. Sinani është ndaluar dhe mbajtur për gati një orë sot në pikën kufitare pa i dhënë arsye për ndalesën e saj e që për qëllim ka frikësimin dhe maltretimin vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare. Kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, në reagim përmendet edhe raporti i Komitetit të Helsinkut, ku është theksuar që Serbia po kryen spastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Për të reduktuar sa më shumë numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug, shteti po bën të ashtuquajturin “pasivizimin e adresave të banimit që u përkasin shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë. Masa është në thelb një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, citohet në reagim.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga autoritete serbe.