Policia e Kosovës do të reduktojë me 25përqind, praninë e saj vetëm rreth objekteve të komunave por jo në pjesët tjetër te veriut të vendit.
Kryeministri Kurti u kujdes të theksonte diçka të tillë përmes një postimi në Facebook, teksa vendimi nisi të zbatohej ditën e premte, mbështetur në një prej pikave të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe BE më 10 korrik, për shtensionimin e situatës në veri.
Numri një i ekzekutivit të Prishtinës përsëriti se nuk do të ketë reduktim të menjëhershëm të forcave policore. Ashtu siç kemi thënë para më shumë se dymuajve:
1) Nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional;
2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit.
Si Kurti ashtu edhe Policia e Kosovës, deklaruan se tkurrja e pranisë policore niste nga 4 gushti, pasi situata e sigurisë është vlerësuar e qetë, në një takim me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe pjesëtarë të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë dhe më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë.
Por ndërsa vlerëson zbutjen e qartë të tensioneve, Kurti, theksoi se qëndrojnë vigjilent për një përshkallëzim të mundshëm që sipas tij, mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior.
Reduktimi i prezencës së policisë është një prej pikave të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian më 10 korrik, për shtensionim të situatës në veri. Sipas kryeministrit, Prishtina po e zbaton me seriozitet ujdinë. (A2 Televizion)