Pas gati 10 vjetësh oficerët meksikanë të zbatimit të ligjit arrestuan mbretin e drogës Rafael Caro Quintero. Në një operacion ushtarak të udhëhequr nga marinsat meksikanë, Quintero, i cili ishte arratisur që nga viti 2013, është arrestuar në shtetin perëndimor të Sinaloa.
Rafael Caro Quintero është në listën e më të kërkuarve në SHBA, pasi akuzohet për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e një agjenti të DEA-s në vitin 1985. FBI kishte vendosur një shpërblim prej 20 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Sipas marinës meksinane, 69-vjeçari Quintero u gjet në shkurre nga një qen i stërvitur posaçërisht i quajtur Max.
SHBA tha se do të kërkonte ekstradimin e menjëhershëm të Quintero. Ai do të vuante 40 vjet burg, por kreu vetëm 28 vjet përpara se të lirohej nga burgu për " arsye administrative".
Arrestimi vjen pak ditë pas vizitës së presidentit meksikan Andres Manuel Lopez Obrador në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga Joe Biden.
Rafael Caro Quintero ishte një nga furnizuesit më të mëdhenj të heroinës, kokainës dhe marihuanës në Shtetet e Bashkuara në vitet 1970. Në vitin 1984 një bastisje në një nga plantacionet e tij të marihuanës e kishte bërë atë të humbiste të ardhura të konsiderueshme, duke i dhënë një goditje të rëndë perandorisë së tij. Caro Quintero kishte fajësuar agjentin Camarena për bastisjen. Në vitin 1985 ai vendosi të "marrë hak", e rrëmbeu jo shumë larg konsullatës amerikane në Guadalajara dhe e torturoi për disa ditë. Torturat ishin aq të dhunshme sa nuk i lanë shpëtim agjentit amerikan, trupi i të cilit u gjet një muaj pas vdekjes së tij.
Ky episod ishte një pikë kyçe në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, duke rritur tensionin midis dy shteteve dhe duke nxitur Shtetet e Bashkuara të intensifikojnë betejën e tyre kundër drogës. (A2 Televizion)