Federata Shqiptare e Volejbollit vendosi t’i hiqte lincencën një trajneri të ekipit të moshave të Skënderbeut, pasi videot teksa ai godiste me shuplakë lojtaret gjatë një ndeshjeje u bënë virale në rrjet.
Por vetë lojtaret kanë folur për mediat lokale, duke thënë se vendimi është i ekzagjeruar. “Në këto momente jam shumë e ngarkuar, si unë dhe familja. Gjëja e vetmja që doja të thosha është që jemi të dielën duke ngritur trofeun dhe do ta fitojmë për profesorin”, thotë një prej vajzave të mitura që goditet me shuplakë, e identifikuar si Rovena.
“As shpullë nuk mund të quhet, pasi është thjesht tërheqje vëmendjeje. Ata që merren me sport e dinë që nuk quhen shpulla, këto na motivojnë që të luajmë më mirë. Ka momente që një lojtar nuk ndihet mirë dhe ka nevojë që t’i kthehet përqendrimi”, tha një prej vajzave të tjera.
“Asnjë prind i yni nuk ka dalë të akuzojë. Nuk duhet të merren vendime të tilla të nxituara. Ne kemi një vit që punojmë për të ngritur kupën dhe do ta arrijmë këtë gjë, duke ngritur vlerat e profesorit tonë”. (A2 Televizion)