Tre persona mbetën të vdekur pasditen e së dielës në një atentat në urën e Tapizës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan mbi një makinë në ecje, e cila doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë. Dy prej viktimave të identifikuar si Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha u shkrumbuan brenda në makinë, ndërsa policia konfirmoi se viktima e tretë është Diklen Vata. 30-vjeçari arriti të dilte nga makina, pasi ajo u përfshi nga flakët, por autorët e krimit e qëlluan nga afër.
Pas disa minutash në Larushkë, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes, policia gjeti makinën e atentatorëve në flakë. Brenda makinës tip Volsvagen u gjetën 4 armë, ndërsa nga hetimet rezulton se targat e mjetit ishin vjedhur në Tiranë.
Hetuesit dyshojnë se shënjestër e atentatit ishte Brilant Martinaj. 22-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor në vrasjen e ish-efektivit të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela, dy vite më parë.
Emri i tij rezulton si i dyshuar edhe në vrasjen e ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi, ngjarje e ndodhur në qytetin e Laçit më 1 nëntor të vitit të shkuar.
Në rekordet e policisë edhe Diklen Vata rezulton i skeduar për shpërndarje kokaine, pasi ishte arrestuar në vitin 2017.
Mungesa e kamerave të sigurisë ka bërë që policia të japë dhe 3 milionë lekë për çdo person që ndihmon hetuesit në identifikimin e atentatorëve. (A2 Televizion)