Akuzat e Kroacisë, se Greqia po trajton tifozët e Dinamo Zagrebit sikur të ishin robër lufte, nuk kanë mbetur pa një përgjigje nga Athina zyrtare. Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Stratos Efthymiou, tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke theksuar se këto deklarata nuk i shërbejnë zgjidhjes së çështjes.
“Që në momentin e parë, Qeveritë e Greqisë dhe Kroacisë kanë qenë në komunikim për të menaxhuar situatën e krijuar pas vrasjes tragjike të tifozit grek.
Në Greqi funksionon një shtet ligjor. Duke respektuar të drejtat themelore të të gjithë atyre që janë në paraburgim të përkohshëm, gjyqësori i pavarur grek do të gjykojë çështjen në mënyrë të paanshme dhe objektivisht. Dhe shteti grek garanton gjithmonë respektimin dhe integritetin e të burgosurve.
Çdo deklaratë që shtrembëron realitetin nuk shërben në rrethanat aktuale”, komentoi Stratos Efthymiou.
Ditën e sotme, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç tha se tifozët kroatë janë “shpërndarë nëpër burgje për t’u rrahur e përdhunuar”, duke shkaktuar tensionim të marrëdhënieve mes 2 vendeve.
Mirëpo, kundër Milanoviç ka qenë edhe vetë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
"Këto deklarata sigurisht që nuk do të ndihmojnë qytetarët tanë. Ata akuzohen për tre krime : bashkëpunim me një organizatë kriminale, dëmtim dhe plagosje të pronës. Këto janë krime të rënda dhe një person është vrarë. Për vdekjen nuk mund të fajësohen të 100. U bëjmë thirrje autoriteteve greke që ta përfundojnë procesin sa më shpejt dhe të deportojnë shumicën dërrmuese të qytetarëve kroatë në Kroaci”, theksoi ai.
Tifozët e Dinamo Zagrebit qëndrojnë në burg dhe akuzohen për vrasjen e tifozit Michalis Katsouris. (A2 Televizion)