Mbi 90% e shqiptarëve dëshirojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Aq e lartë është kjo shifër, sa mund të thuhet me bindje që ia kalojnë edhe vendeve që aktualisht janë pjesë e unionit. Përqafimi i këtyre vlerave dëshirohet nga shqiptarët me ëndje prej më shumë se 33 vitesh, por çfarë kanë bërë qeveritë për t’i bërë ato realitet? Në këtë emision të radhës do të trajtojmë zbatimin e të drejtave në Shqipëri, ku element kryesor është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, institucioni i cili në shumë e shumë raste ka konstatuar se ato janë dhunuar e asgjë nuk është bërë për t’i rregulluar.
Në 13 korrik të vitit 1995, plotë 28 vite më parë, Shqipëria hodhi hapin e saj të parë dhe të fortë në përqafimin e vlerave perëndimore duke u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Futja në këtë organizatë pasoi ratifikimin një sërë protokollesh të një pas njëshme nga ana e Shtetit Shqiptar, ku ndër më e rëndësishme ishte Karta Europiane për të Drejtat e Njeriut në vitin 1996, mekanizmi i cili do të garantonte liritë dhe të drejtat e shtetasve shqiptar, pa asnjë dallim nga ato të vendeve të Europës Perëndimore.
27 vite nga anëtarësimi në Gjykatën Europian për të Drejtat e Njeriut tregojnë se këto liri dhe të drejta jo gjithmonë janë respektuar nga autoritetet shqiptare. Raporti i Këshillit të Europës për vitin 2022 sa i përket zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e rendin Shqipërinë të tretën nga fundi krahas Rusisë dhe Azerbajxhanit, nga 47 vende anëtare. Sipas të dhënave të raportit, vetëm 53% të vendimeve të dhëna janë zbatuar nga autoritetet shqiptare ndërsa 47% të tyre janë ende në pritje. (A2 Televizion)