Kandidatët e Rithemelimit për kryebashkiakë nuk do të dalin në zgjedhjet vendore me logon e PD, por do të shkojnë përpara votuesve në koalicion. Vendimin e ka marrë Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, ndërkohë që është mandatur Kryesia për të negociuar për formën e koalicionit duke nisur nga dita e martë.
Përveç emrave për kryebashkiakë Berisha do të duhet të dakordësohet me aleatët edhe për listën e këshilltarëve në 61 bashkitë, pasi Partia e Lirisë ka nisur prezantimin e listës së kandidatëve të saj.
Gjithashtu, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, përfaqësuesit ligjorë të selisë blu, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri, kanë çuar kërkesën në KQZ për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor.
Ndërkohë, burime për A2 bëjnë të ditur se Belind Këlliçi dhe Flamur Noka janë duke u takuar me Agron Dukën për të biseduar me të për mundësinë që ai të jetë pjesë e koalicionit që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.
1. Partia Demokratike është vetëm një! Ajo është parti e anëtarëve të saj! Ajo është parti e njerëzve të lirë dhe asgjë nuk na ndal ne në misionin tonë për të shpëtuar Shqipërinë!
2. Vendimi gjyqësor i Edi Ramës për të përjashtuar Partinë Demokratike nga zgjedhjet konfirmon tmerrin e tij nga opozita e vërtetë dhe planin e tij për të zhbërë opozitën, konsolidimin e monizmit të bazuar në vjedhjen, drogën, krimin. Ky plan ka dështuar dhe sot Partia Demokratike është më e fortë se kurrë!
3. Partia Demokratike dënon gjithashtu Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, pengje të Edi Ramës, që ishin instrumenta të tij, në vendimin e tij antikushtetues.
4. Ne u bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike të cilët janë votuar nga anëtarësia, në procesin më transparent dhe më fisnik, më të civilizuar që ka njohur Shqipëria. Kështu u shërbejmë interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve!
5. I bëjmë thirrje shqiptarëve të mbështesin kandidatët e Partisë Demokratike si e vetmja mundësi për të ndryshuar Shqipërinë!
6. Partia Demokratike fton demokratet dhe demokratët, mbështetësit tanë të vazhdojmë revolucionin tonë paqësor demokratik gjer në shpëtimin e Shqipërisë nga monizmi i Edi Ramës! (A2 Televizion)
Gjashtë pikat e nxjerra pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar