Vit krize dhe frike, në Tiranë më pak biznese të reja dhe zgjerime

Nga A2 CNN
20 Gusht 2023, 16:07 | Ekonomi
Vit krize dhe frike, në Tiranë më pak biznese të reja dhe

E vështirë të gjesh punonjës, e vështirë të marrësh kredi, por edhe më e vështirë të parashikosh se si do të jetë gjendja ekonomike. Sipërmarrësit këtë vit po tregohen më të kujdesshëm, duke zgjedhur të mos marrin përsipër risqe. Kjo përkthehet në ndjeshëm më pak biznese të reja të hapura në kryeqytet përgjatë gjysmës së parë të këtij viti, por po ashtu më pak zgjerim të aktiviteteve ekzistuese.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, në Bashkinë Tiranë u regjistruan në periudhën Janar-Qershor 2 855 biznese të reja, 40% më pak se vitin e shkuar, e madje më pak se edhe përgjatë vitit të pandemisë.

Shitjet me pakicë duket se janë ato që kanë përjetuar goditjen më të fortë, diçka që lidhet në mënyrë të pashmangshme me krizën e çmimeve dhe fuqinë blerëse në rënie të konsumatorëve. Kryeqyteti regjistroi ndërkohë edhe më pak njësi të reja shërbimi, njësi prodhimi, por edhe më pak profesionistë të lirë. Më rezistentë vetëm bizneset e reja të ndërtimit dhe ato të shitjes me shumicë.

Aspekti pozitiv ndërkohë tregon se numri i falimenteve është shumë i ulët, ndryshe nga ajo çka raportohet në Bashkimin Europian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo tregon se më shumë sesa po ndjejnë krizën, bizneset po shfaqin frikë dhe kujdes. Kujdes i cili është përcjellë edhe në sektorin bankar, ku kushtet e kreditimit janë shtrënguar, duke ofruar kredi më të vogla dhe duke kërkuar mbrapsht më shumë kolateral. 

https://a2news.com/2023/08/18/parate-nga-bizneset-dhe-te-punesuarit-ne-7-muajt-e-pare-te-vitit-u-arketuan-372-miliarde-leke/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi