
Të punosh një jetë për të mos marrë në fund atë që meriton. Ky është fati i pjesës dërrmuese të shqiptarëve që dalin në pension. Dokumente të shkatërruara, arkiva të djegura, regjistra të humbur, listëpagesa që nuk gjenden. Janë këto justifikimet që gllabërojnë ato pak pensione që u takojnë këtyre njerëzve pas dekadash rropatje. Alternativat janë: zvarritu nëpër gjyqe ose prano atë që të jepet. Edhe pse shteti e ka fajin, është shteti që dënon ata që s’kanë asnjë faj për këtë gabim të madh, në rastin më të mirë duke i lënë me një vlerë qesharake me të cilën nuk paguan dot as ilaçet në muaj përballë kostove të jetesës dhe në rastin më të keq, duke i dhënë asgjë. (A2 Televizion)