Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka komentuar sërish situatën e krijuar në veri të Kosovës. Për Vuçiç, nuk ka pasur krizë më të madhe dhe më të rendë në atë pjesë të vendit.
Deklaratat, presidenti serb i bëri gjatë një mitingu në Beograd teksa bëri po ashtu të ditur se pas tubimit do të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
“Sot, sikur qëllimisht e priten ditën kur një numër i konsiderueshëm burrash nga veriu i Kosovës do të vinin në Beograd, për të sulmuar ndërtesat komunale në Zubin Potok, Zveçana dhe Lepossaviç, dhe përfaqësuesit e Quintës ndaj gjithë kësaj heshtën, tani e dënojnë, pasi ju lejua shqiptarëve të mbarojnë punën e tyre, nuk kemi pasur një krizë më të vështirë dhe më të madhe, sapo të përfundojë ky takim madhështor, do të kemi një takim për sigurinë kombëtare dhe do të flasim për atë se çfarë do të bëhet me Kosovën, dhe kam frikë, kam frikë nga shumë të këqija sepse e di me kë kemi të bëjmë. Dhe për këtë dhe për shkak të gjithçkaje që na ndodhi, ne kemi nevojë për unitet, bashkim, bashkim më shumë se kurrë”, u shpreh ai.
Vuçiç paralajmëroi gjithashtu se Serbia nuk do të rrijë duarkryq.
“Na pret një periudhë e vështirë rreth Kosovës dhe ndoshta më e vështira që nga sonte dhe nesër në mëngjes dhe dua ta dini se nuk kemi ku të shkojmë, na bënë presion me gënjeshtrat, mashtrimet dhe marifetet e tyre nga të gjitha anët. Ne nuk kemi bërë asgjë të keqe apo lënduar askënd dhe kështu të mbështetur për muri, nuk kemi ku shkojmë vetëm ta mbrojmë vendin tonë, ta mbrojmë dhe shpëtojmë popullin tonë, ne do të ruajmë paqen, do të kërkojmë paqen, do të luftoj çdo sekondë paqeje që të zgjatë më shumë, por ju them se sulmi i parë ndaj serbëve në veri të Kosovës, Serbia nuk do të rrijë duarkryq. Doni të dëboni serbet, nuk do t’i dëboni”, shtoi presidenti serb.
Kujtojmë se qindra autobusë kanë udhëtuar nga veriu i Kosovës në Beograd ditën e sotme për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga partia e Vuçiçit. (A2 Televizion)